Prizren, 11 qershor -Në orët e pasdites të së mërkurës, një grup prej tre të dyshuarve kishin pikasur një grua e cila në ato momente ishte duke lëvizur në rrugën “Jusuf Gërvalla” dhe në befasi njëri nga të dyshuarit ia grabit me forcë një zinxhir të artë nga qafa dhe që të tre marrin arratinë. Sakaq në ndihmë viktimës përpiqen t’i dalin dy dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen. Njëri nga dëshmitarët ishte përpjekur ta ndalë të dyshuarin të cilin e kishte kapur për xhaketë por në dorë i kishte mbetur vetëm xhaketa sepse i dyshuari kishte nxjerrë krahët dhe kishte ikur. Pas paraqitjes së rastit në Policinë e Prizrenit, konkretisht në sektorin kundër vjedhjeve, është formuar grupi hetimor i cili pas një pune intensive të policëve në rroba civile ka arritur t’i gjejë dy prej tre të dyshuarve. Pas arrestimit të tyre është bërë e ditur se të njëjtit janë nga Shqipëria dhe se me vete kishin dokumente të personave tjerë. Policia po punon për arrestimin e grabitësit të tretë. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit ndalen nën masën e arrestit policor.