Doganat e Kosovës dhe Policia e Kosovës me qëllim, informimin e drejt të opinionit publik lidhur me shkrimin e publikuar me (11.04.2014) në portalin “Express”, ku thuhet se “Fabrika” e Adidasit në Podujevë nuk është e vetmja në Kosovë, në këto falsifikime janë të përfshirë edhe policët, reagojnë ndaj këtij shkrimi të pavërtetë dhe sqarojnë me sa vijon:Me 10 prill 2014 Dogana e Kosovës së bashku me Administratën tatimore gjatë dy ditëve të kaluara kanë zhvilluar një aksion me qëllim të zbatimit të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës që përfshinte bastisje në 4 lokacione dhe kontroll dokumentar në një lokacion. Tri bastisje janë realizuar në Prishtinë në pika të ndryshme, sepse është dyshuar se ka mallra të falsifikuara. Të gjitha bastisjet janë realizuar me sukses ku edhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e mallrave të falsifikuara. Kurse gjatë bastisje në regjionin e Podujevës oficerët doganor kanë zbuluar një punëtori për falsifikimin e produkteve të veshmbathjeve. Menjëherë është ndërprerë puna e kësaj punëtorie dhe kanë filluar procedurat ligjore. Në këtë punëtori janë gjetur materialet e nevojshme të cilat kanë shërbyer për falsifikimin e produkteve. Në mesin e shumë produkteve janë gjetur edhe logo të brendeve të ndryshme si Adidas, Nike, Tom Teilor të falsifikuara dhe të cilat përdoreshim për vendosje në veshmbathje pa etiketa ashtu që të mashtrojnë konsumatorët. Të gjitha produktet janë konfiskuar dhe pas përfundimit të procedurave hetimore pritet ngritja e kallëzimit penal për veprat e prodhimi ilegal, falsifikimit të markave tregtare dhe mashtrimit të blerësve. Vlen të potencohet se Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës reagojnë ndaj shkrimit të pavërtetë të portalit “Express” dhe njëherit sigurojnë opinionin e gjerë se në këtë rast nuk ka të involvuar dhe as të dyshuar asnjë zyrtar policor, duke përfshirë edhe ata të krimeve ekonomike siç potencohet në shkrim.Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës mbeten të përkushtuara në vazhdimin e realizimit të detyrave dhe zbatimit të ligjit, si dhe informimin e drejtë të opinionit lidhur me realizimin e operacioneve hetimore dhe njëherit kërkojnë nga portali në fjalë që të publikojë sqarimin zyrtar të përbashkët institucional.