Prishtinë, 1 prill 2014
Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, me qëllim të identifikimit dhe zbardhjes së rastit të ‘vrasjes së rëndë’, i cili ka ndodhur në qytetin e Pejës, me 21.3.2014, ku janë vrarë dy qytetarë dhe janë plagosur gjashtë persona të tjerë. Në procesin e hetimit të këtij rasti Policia e Kosovës ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saja policore, ka ngritur bashkëpunimin me institucionet tjera të zbatimit të ligjit dhe me qytetarët. Me qëllim të trajtimit sa më profesional dhe inkuadrimit të njësiteve në nivel qendror, hetimi i këtij rasti është bartur në kompetencë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimeve.Hetuesit policorë së bashku me Prokurorinë Speciale janë duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative-hetimore dhe aktualisht është duke u punuar në disa pista të hetimit, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti dhe arrestimin e kryerësve të kësaj vepre penale.Policia e Kosovës duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e deritanishëm për ndihmën dhe përkrahjen në dhënien e informacioneve, gjithashtu i inkurajojmë të gjithë ata që posedojnë informacione lidhur me këtë rast të na kontaktojnë në numrin e poshtëshënuar pa pagesë.
Tel: 080019999.
Policia e Kosovës i garanton të gjithë qytetarët se çdo informacion i dhënë do të trajtohet në mënyrë profesionale dhe konfidente.