4.2.2014, Ferizaj
Policia e Ferizajt, mbrëmë rreth orës 22:00, ka arrestuar tre persona (shtetas të Republikës së Shqipërisë), të dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘grabitjes’. Të dyshuarit: F. M. (21 vjeç), E. A. (18 vjeç) dhe E. A. (26 vjeç), mbrëmë, në intervalin kohor prej orës 20:00 deri rreth orës 22:00, në tri lokacione të ndryshme të Ferizajt, kanë kryer tri grabitje, duke përdorur me këtë rast edhe mjete të mprehta e të forta si: thika dhe shufra metali. Rreth orës 22:10, në rrugën “Kadri Zeka”, dy të dyshuarit kanë ndalur në rrugë viktimën, E. I. (16 vjeç), duke kërkuar nga ai që t’ua japë paratë dhe gjërat e tjera. Për fat, në afërsi ishte edhe babai i viktimës, i cili ka arritur që ta ndalë të dyshuarin E. A., deri në arritjen e njësitit patrullues të policisë, të cilët më pas i arrestuan edhe dy të dyshuarit e tjerë. Viktimat e të dyshuarve janë tre të rinj ferizajas, dy prej të cilëve kanë marrë edhe lëndime të lehta gjatë ballafaqimit me grabitësit e dyshuar. Aktualisht, tre të dyshuarit janë duke u marrë në pyetje nga hetuesit e sektorit rajonal të Hetimeve në Ferizaj.