Me datën 7 janar, rreth orës 13:00, policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në fshatin Billushë, gjatë një ahengu familjar një ditë më parë, një qytetar kishte shkrehur disa fishekë nga arma pushkë gjysmë automatike, me ç’rast kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm. Ndërkaq, pasi policia ka kërkuar nga i dyshuari armën, i njëjti pa kundërshtim ia ka dorëzuar policisë një armë zjarri me numër serik B 2757. Në konsultim me prokurorin rasti i kalon prokurorisë sipas procedurës së rregullt. Po ashtu me datën 6 janar, rreth orës 01:00, para restorantit “Paradiso” që gjendet në rrugën “Tahir Sinani” janë dëgjuar krisma nga arma. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm dhe pas një shkëmbimi të informacioneve me policë të nënstacionit policor në Zhur, është bërë i mundur arrestimi i dy të dyshuarve të cilët pasi kishin shtënë në ajër, me një automjet Mercedes kishin ikur në drejtim të Zhurit. Në këtë rast është konfiskuar një pistoletë e llojit “Ekol Special 99” kalibri 9 mm Me tre fishekë. Ndërkaq, në Lladraviq të Malishevës është hasur një i dyshuar që kishte dalë në gjueti në kundërshtim me ligjin, të cilit i është sekuestruar arma e gjahut dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti penal. Po ashtu edhe në fshatin Celinë të Rahavecit, dy gjahtarëve nga Rogova u janë sekuestruar dy armë të gjahut me 33 fishekë, pasi të njëjtit janë hasur nga roja e gjahut duke gjahtuar ilegalisht.Për ushtrim të dhunës në familje janë arrestuar dy persona të gjinisë mashkullore në dy raste të ndara: njëri në Spoijë të Suharekës ndërsa tjetri në Rahavec. Dy të arrestuarit po mbahen në ambientet mbajtëse të policisë.Dhe në fund, dy vetura të llojit Audi Q7, njëra e bardhë dhe tjetra e zezë, të cilat janë raportuar si të vjedhura, njëra në Holandë e tjetra në Zvicër, janë gjetur në rajonin tonë. Në hetimin e rasteve ka qenë i përfshirë Interpoli, Zyra ndërlidhëse e Policisë së Kosovës, hetues rajonalë kundër auto-krimeve dhe prokuroria e shtetit, e cila ka urdhëruar që veturat të sekuestrohen, ndërsa të vazhdohet me hetimin e rasteve.