Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Informacion i Policisë së Kosovës lidhur me veprimet policore te Kuvendi i Republikës së Kosovës

Prishtinë, 14 dhjetor 2015, ORA 16:30

Policia e Kosovës, lidhur me seancën e  Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e mëhershëm të kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet policore duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës me zyrtarët e sajë policor ka filluar me kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ku gjatë hyrjes me urdhëresë të Gjykatës kompetente zyrtarët policor kanë ndaluar z.Kurteshi për mosrespektim të arrestit shtëpiak, me rastin e pjesëmarrjes së tij në manifestimin/protestën e datës 12.12.2015 në Gjilan.
Të njëjtit me vendim të organeve të drejtësisë i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.

Po ashtu në seancën e kuvendit janë paraqitur edhe dy deputet të cilët janë nën masën arrestit shtëpiak, dhe për këtë Policia e Kosovës bazuar në detyrat zyrtare dhe procedurat ligjore i ka informuar organet e drejtësisë për mosrespektim të arrestit shtëpiak.

Para fillimit të seancës me vendim të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës është kërkuar hyrja e personelit të sigurimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët konform autorizimeve ligjore kanë hyrë duke formuar kordon sigurie brenda në seancë.

Ndërsa pas hyrjes së kryesisë dhe deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, nga deputet të caktuar është hedhur mjet i dyshuar gaz lotsjellës.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës seanca është anuluar, për të vazhduar me mbledhjen e kryesisë së kuvendit, ku edhe aty gjatë mbajtjes se mbledhjes së kryesisë nga një deputete është hedhur një mjet i dyshuar gaz lotsjellës.

Puna e Kuvendit ka vazhduar në sallën alternative për disa orë, e cila pastaj është ndërprerë serish me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës nga deputet të opozitës.

Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në ambientet e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara.

Bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente, pas daljes nga objekti i Kuvendit të RKS-së është ndaluar deputeti z.Lekaj, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme.

Gjatë kohës sa pritej të fillonte seanca dhe gjatë zhvillimeve të mëtutjeshme në Kuvend, një grup prej rreth 150 personave kanë qëndruar jashtë kuvendit duke protestuar.

Pas orës 14:00, protestuesit kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë si dhe mjete të forta drejt  zyrtarëve policor  dhe drejt  objekteve shtetërore.

Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, në disa lokacione të ndryshme  janë dëmtuar pesë (5) vetura zyrtare, njërës prej tyre i është vënë zjarri nga persona të dyshuar.

Pas orës 15:00 nga protestues të dhunshëm është hedhur një mjet i dyshuar koktej molotovi drejt një (1) veture të blinduar të PK-se, si dhe janë hedhur mjete të forta drejt dy (2) veturave patrulluese policore të cilat  janë dëmtuar. 

Po ashtu deri më tani në bazë të informacioneve të deritanishme (16:30) nga protestues të dhunshëm është dëmtuar edhe një (1) veturë civile.

Referuar situatës së krijuar dhe dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, njësitet policore janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e ligjshme, për të shpërndarë protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Protestuesit e dhunshëm gjatë shpërndarjes dhe lëvizjeve të tyre në lokacione të ndryshme kanë tentuar të bllokojnë dhe pengojnë qarkullimin e trafikut, duke vendosur mjete të ndryshme në rrugë, duke përfshirë edhe kontejnerë mbeturinash.

Gjatë intervenimeve policore deri më tani janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore tre (3) protestues të dhunshëm.

Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës,  është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, dhe kohën se kur ka mund të jetë futur ky mjet i dyshuar.

Policia e Kosovës vazhdon me  realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore .

Me respekt,
Zyra për Informim e PK-se
DPP-Prishtinë
 

Statstikat e përgjithshme: 2024-06-03
0
Aksidentet Fatale
21
Aksidentet Me te Lenduar
31
Aksidentet Pa te Lenduar
1521
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
11
Arrestime
03
Ne Mbajtje