Prishtinë, 18 dhjetor 2015 –
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni me stafin e tij të lartë, ka pritur në takim drejtorin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Drejtues Madhor z. Haki Çako, i cili ishte i shoqëruar po ashtu nga drejtues të lartë të Policisë së Shqipërisë.
Ky takim kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy institucioneve policore të të dy vendeve, si dhe nënshkrimin e memorandum bashkëpunimit për “Realizimin e Kursit të Trajnimit për Motoçiklistë të Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni në fjalën e tij tha se Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat policore, duke ju referuar edhe bashkëpunimit në fushën e komunikacionit rrugor dhe bashkëpunimit kufitar të dy vendeve në menaxhimin e integruar të kufirit.
Tani edhe kjo marrëveshje bashkëpunimi e nënshkruar në fushën e trajnimit për motoçiklistë patrullues të trafikut, do të ndikojë edhe më tej në avancimin e bashkëpunimit dhe trajnimeve të ndërsjella.
Ndërkaq, drejtori i Policisë së Shqipërisë, z. Haki Çako në fjalën e tij tha se kemi trajtuar çështjet e bashkëpunimit në disa fusha dhe për këtë sigurojë se do të bashkëpunojë ngushtë me strukturat e sigurisë në të gjitha format, si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë edhe në realizimin e trajnimeve me interesa të përbashkëta.
Gjatë takimit i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, të dy krerët e Policisë u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy policive, si dhe avancimin e përbashkët në fushën e luftimit të krimit, krimit të organizuar, atij trans-kufitar dhe realizimin e trajnimeve të përbashkëta policore në fusha të ndryshme.