Sot me datë 12.10.2021, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti priti në një takim lamtumirës Komandantin e KFOR-it, Major Gjeneral Franco FEDERICI. Gjatë takimit nga Komandanti i KFOR-it u vlerësua shumë lartë puna, profesionalizmi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrave në shërbim të të gjithë qytetarëve. Drejtori i Përgjithshëm i PK-së falënderoi Komandantin e KFOR-it, për punën e tij të shkëlqyeshme gjatë mandatit të tij, krijimit të besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit reciprok në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend dhe në shenjë falënderimi u shkëmbyen edhe mirënjohje.