Stacioni i Policisë në Mitrovicën e jugut, sot ishte nikoqir i vizitës së nxënësve të shkollës fillore”Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë.
Kjo vizitë u realizua në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional dhe qasjes aktive ndërmjet Policisë dhe institucioneve të edukimit, me ç’rast grupin e nxënësve në një takim i priti komandanti i Stacionit Policor Major Ahmet Xhosha, ku ndër të tjera u tha se interesimi dhe vizitat e tilla lënë të kuptojmë se sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin, si në aspektin shoqëror ashtu edhe në atë të shkëmbimit të njohurive për sigurisë.
Gjatë kësaj vizite nxënësit janë njoftuar për punën policore, hapësirat e punës në objektin policor, njëkohësisht zyrtarët policorë iu kanë ofruar informacione për punën rutinore policore, si dhe njohuri elementare për linjën e hapur, thirrjet emergjente, dërgimin e informacionit me kohë në fushën e parandalimit të hershëm si dhe njohuri bazike që kanë të bëjnë me sigurinë në trafik. Gjithashtu fëmijëve u është shpjeguar edhe për të drejtat dhe përgjegjësitë e të miturve.