Prishtinë, 03 janar 2022 – Policia e rajonit të Prishtinës që nga fillimi i këtij muaji, i ka dhënë përparësi luftës kundër disa shqetësimeve që kohët e fundit ka pasur komuniteti në lidhje me rastet e vjedhjeve të ndodhura në zona të ndryshme të kryeqendrës.
Puna policore e hetuesve të stacionit policor Veriu e organizuar me veprime specifike operative dhe hetimore me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave, për të cilët dyshohej të jenë të përfshirë në disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, sot ka rezultuar me arrestimin e një prej të dyshuarve.
-F. R. 31 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës,
pasi është identifikuar dhe lokalizuar është arrestuar nga ana e policisë nën dyshimin e arsyeshëm për përfshirje në së paku shtatë vepra të ndryshme kryesisht vjedhje dhe vjedhje të rënda të ndodhura në periudha të ndryshme kohore.
Ndaj tij policia ka filluar një hetim më të gjerë për veprat penale “Vjedhje” dhe “Vjedhje e Rëndë”, dhe me rekomandim të prokurorit të shtetit i njëjti është proceduar më tej.