Në kuadër të veprimeve dhe angazhimeve shtesë bazuar në planin e veprimit (Sezoni veror 2022), me qëllim të vetëdijesimit dhe parandalimit të vjedhjeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, ka filluar së realizuari fushatën me moton: “Kujdes për veturën tuaj”, përmes kësaj fushate dhe shpërndarjes së fletushkave, synohet të vetëdijesohen qytetarët e në veçanti ngasësit e automjeteve për parandalimin e vjedhjeve të veturave dhe gjësendeve në vetura.
Duke pasur parasysh se fluksi i veturave nëpër rrugë, kryesisht nëpër ato urbane ka filluar të jetë në rritje e sipër, kapaciteti infrastrukturor nuk përmbush nevojat e mjaftueshme sidomos mundësinë e parkimit të veturave, në këto rrethana drejtuesit e veturave jo rrallëherë ndalojnë dhe parkojnë veturat në vende dhe zona që nuk janë të destinuara për parkim, ku parkimi në rrethana të tilla mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes.
Duke iu përmbajtur këtyre këshillave ju do të zvogëloni mundësinë e të qenurit viktimë e vjedhjes së veturës tuaj:
– Kini parasysh dhe vlerësoni se ku po parkoni veturën tuaj.
-Parkimi i veturave në zonat që nuk janë të destinuara për parkim, mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes.
-Parkimi i veturave në zona ku nuk ka ndriçim mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes.
-Mos ekspozoni gjësende që duken e që mund të jenë cak i dëmtimit apo vjedhjes së veturës.
-Mos e lini portofolin, dokumentet tjera personale, përfshirë pasaportën, brenda në veturë.
-Parkimi i veturës suaj të bëhet në mënyrë të sigurt, si mbyllja dhe çelësimi.
-Kujdes të shtuar në aspektin e sigurisë së veturës duhet të keni në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës.
Nëse ju vëreni ndonjë sjellje të dyshimtë në zonën afër veturës tuaj, thërrisni Policinë në numrin 192.
Realizimi i kësaj fushate edhe një herë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë, për sensibilizim dhe parandalim në ofrimin e sigurisë.