Prishtinë, 19 shkurt 2020
Lidhur me rastin e cilësuar ‘vrasje e rëndë’ dhe ‘vetëvrasje’ të ndodhur me datën 18.02.2020 në rrugën “Xhevat Ajvazi” në lagjen Bujanina të Gjilanit, ku dyshohet se ishte e përfshirë një zyrtare policore, ashtu siç është bërë e ditur në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë të gjitha njësitet relevante nga Policia e Kosovës, prokurori kompetent, ekipet mjekësore, mjekësia ligjore si dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për të kryer hetime intensive lidhur me rastin.
Ekipet e hetuesve të Policisë së Kosovës (PK) nga Drejtoria e Krimeve të Rënda të PK-së është kërkuar të jenë përgjegjëse për trajtimin e rastit në aspektin hetimor, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilët në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast me pasoja tragjike, hetime këto të cilat janë ende duke vazhduar.
Zyrtarja policore V. B., e cila dyshohet se është përfshirë në rast, ka qenë duke punuar në Stacionin Policor të Gjilanit dhe që nga 07.07.2017 (pas rekomandimit të psikologut të Policisë së Kosovës i është marrë arma zyrtare dhe është caktuar në punë të lehta), ky vendim është rikonfirmuar më pas edhe nga klinika përkatëse pas kontrolleve shëndetësore psikologjike të mbajtura me 16.10.2019 për shkaqe shëndetësore, e njëjta ka qenë me detyra të lehtësuara kryesisht me punë administrative, ku bazuar në rekomandimet dhe procedurat e parapara të njëjtës i ishte marrë arma zyrtare.
Në kuadër të Policisë zyrtarja është trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019, gjersa në klinikën e kontraktuar nga Policia ajo ka mbajtur 6 seanca, ku i është caktuar diagnoza përkatëse dhe i është caktuar terapia adekuate nga komisioni mjekësor përkatës.
Trajtimin e fundit mjekësor psikologjik në klinikë e ka mbajtur me datën 03.10.2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj shëndetësore/psikologjike si dhe i është caktuar terapia përkatëse.
Arma e saj ka qenë duke u ruajtur në stacionin policor ku zyrtarja ka shërbyer. Mënyra si ajo ka ardhur deri tek arma është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Si pjesë e procedurës hetimore është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes me ç’rast janë marrë gjurmët dhe dëshmitë relevante për procedurë të ekzaminimit të mëtejmë, përfshirë edhe armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Gjithashtu trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Jemi në pritje të autopsisë.
Në vendin e ngjarjes janë kontaktuar dëshmitarë të mundshëm, ku disa nga ta janë intervistuar. Më pas janë kontaktuar edhe persona tjerë me të cilët Policia ka biseduar për njohuritë e tyre për këtë rast. Gjithsej janë kontaktuar 20 persona. Informacionet e marra nga këta persona janë pjesë e procedurës hetimore.
Në Gjilan janë duke vazhduar veprimet tjera hetimore, vazhdimi i ekzaminimit të vendit të ngjarjes, identifikimi i dëshmitarëve tjerë të mundshëm, identifikimi dhe tërheqja e video dëshmive si dhe dëshmive tjera të cilat mund të shërbejnë për zbardhjen në detaje të rastit.
Pas hetimeve preliminare nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’, Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 18.02.2020 i ka rekomanduar Policisë së Kosovës, suspendimin e katër zyrtarëve policorë, komandantin e Stacionit Policor Gjilan, zëvendëskomandantin, shefin e operativës dhe një zyrtar të stafit civil.
Policia e Kosovës, bazuar në rekomandimin e IPK-së, po ashtu me datën 18.02.2020 ka bërë suspendimin e këtyre zyrtarëve policorë në kohëzgjatje prej (72) orëve, me qëllim të zhvillimit të hetimeve të pavarura. Policia e Kosovës së bashku me institucionet e drejtësisë dhe të IPK-së, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së rrethanave dhe motivit që kanë çuar deri te ky rast tragjik.